Foto ilustruese
Ndalimi hyn në fuqi më 13 tetor 2025; Policia do të sekuestrojë çdo monopatinë që gjendet në rrugë deri në miratimin e rregullave të reja.
Nga dita e nesërme, 13 tetor 2025, përdorimi i monopatinave elektrike në të gjithë vendin do të ndalohet zyrtarisht. Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, si një masë e përkohshme që do të zgjasë deri në përcaktimin e rregullave të reja për qarkullimin e tyre.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, njoftoi se ndalimi vjen pas shtimit të incidenteve rrugore ku janë përfshirë këto mjete elektrike, të cilat janë bërë shumë të përdorura, sidomos në kryeqytet.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që të mos lejojë përkohësisht qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Ndërkohë, bizneset që i ofrojnë me qira duhet të ndalojnë aktivitetin, pasi në të ardhmen lejimi i tyre do të jetë vetëm për përdorim personal,” deklaroi Koçiu.
Sipas njoftimit, Policia e Shtetit do të nisë menjëherë sekuestrimin e monopatinave që gjenden në qarkullim, ndërsa pritet të hartohen rregulla të reja që do të përcaktojnë:
masat e sigurisë për përdoruesit, korsitë e lejuara të lëvizjes, moshën minimale për drejtim, dhe kufizimin e shpejtësisë maksimale.
Tirana, ku monopatinat elektrike janë kthyer në një alternativë të shpejtë ndaj trafikut të rënduar, pritet të ndjejë menjëherë ndikimin e kësaj mase. Ndërkohë, vendimi vjen në prag të zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e ri të Tiranës, duke lënë hapësirë për interpretime nëse ndalimi ka vetëm qëllim sigurie apo edhe prapavijë politike.
Kujtojmë se ministrja Koçiu ka qenë në qendër të vëmendjes edhe më herët, pas shkarkimit të zëvendësit të saj, Andi Mahila, për një episod publik ku ai u pa duke pirë cigare në ambient të mbyllur – një veprim që ministrja e cilësoi “shkelje të papranueshme të ligjit”.