Screenshot
Pas katër netësh spektakli të mbushura me emocion, votime dhe performanca fantastike, Festivali i Këngës në RTSH, i njohur ndryshe si Fest 64, ka shpallur fituesin Alis me këngën e tij “Nân” që do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë.
Kënga “Nân” është një baladë prekëse që ka kapur zemrat e publikut jo vetëm në Shqipëri, por edhe te fansat ndërkombëtarë që ndjekin garën e Eurovisionit. Me një tekst emocional dhe një performancë të fortë vokale, Alis ka shënuar një fitore të merituar dhe tani do të jetë zëri që do të përfaqësojë vendin tonë.
Festivali i Këngës 64 u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Tiranë midis datave 17 dhe 20 dhjetor 2025, ku artistë të ndryshëm konkurruan në një format të ndarë në gjysmëfinale, një natë nostalgjie dhe finalen e madhe.
Në garë ishin 28 këngë konkurruese, përfshirë emra të njohur dhe talente të reja, që sollën një gamë të gjerë stilesh muzikore dhe performancash që nga baladat e fuqishme deri te tingujt modernë dhe ritmikë.
Fituesi u vendos përmes një kombinimi votash: 50% nga juria profesionale, 25% televotim në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, dhe 25% votim online ndërkombëtar.
Me këtë fitore, “Nân” nuk është vetëm kënga e parë konkuruese zyrtare për Eurovision 2026, por edhe një shans i madh për të shpalosur artin shqiptar para miliona shikuesve në Evropë.