Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vijon procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit dhe të dyshuarve të tjerë për rastin e Liridona Ademajt. Gjatë seancës së sotme, Murseli ka dhënë dëshminë e tij, duke hedhur poshtë versionin e paraqitur nga organi i akuzës.
Murseli ka deklaruar para trupit gjykues se nuk ka pasur asnjë marrëveshje paraprake për vrasjen e bashkëshortes së tij. Ai ka insistuar se pretendimet e deritanishme nuk qëndrojnë dhe se marrëdhënia e tyre ka qenë e mirë.
Një pikë kyçe e dëshmisë së tij ishte mohimi i pranisë në makinë në momentin e aktit të rëndë. Murseli pohoi se as ai dhe as fëmijët nuk kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja, duke e cilësuar versionin e Prokurorisë si të pavërtetë, shkruan IndeksOnline.
“Iu betohem në dy fëmijë që i kam që Naim Murseli as në makinë s’ka qenë në momentin kur është vrarë Liridona. As unë as fëmijët, iu betohem. Kjo është e vetmja e vërtetë”, ka thënë ai gjatë dëshmisë.
Naimi Murseli ka folur lidhur me raportin e tij me Liridonen. Ai ka thënë se për 12 vite martesë ata kanë qenë të lumtur dhe se asnjëherë nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj, raporton Indeksonline.
“ Kam pas 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat i saj kemi dy fëmijë dhe marrëdhëniet tona, marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mirë, e lumtur. Lirdiona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë shumë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme. Ne kemi jetuar në Suedi ku Liridona pas tri vitesh qëndrimi është bërë dhe nënshtetase suedeze. Si pasojë e martesës sonë 5 vitet e para me Liridonën ka qenë dëshira e saj e madhe, që të bëhet nënë. Kishte probleme me mbet shtatzënë dhe 5 vitet e para jam marrë shumë me të nëpër spitale. Më në fund në 2017 u realizuan ëndrrat tona. Unë u bëra babë. Pas një viti e gjysmë pas fëmijes së parë, deshi zoti dhe fëmija i dytë dhe kemi jetuar së bashku krejt kohen. S’ka pas anjëherë ndonjë ndarje apo diçka të tillë. Ka qenë çdo gjë në rregull mes neve. Leonardi tregoi se për kaq vite nuk është ankuar Liridona. Kjo është e verteta se ska pas pse të ankohet, se asnjëherë në jeten time larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka të tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistuar në marrëdhënien tonë“, ka thënë ai.
Ndërsa ka pohuar se asnjëherë nuk ka pasur marrëveshje për vrasjen e Liridonës.