Foto Ilustruese
Vendi ynë sot do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet i vranët ndërsa reshjet e shiut priten të bëhen prezente që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa lokalisht në veriperëndim e jugperëndim reshjet e shiut hera-herës me intensitet deri të lartë në formën e shtrëngatave dhe stuhive.
Në majat e maleve në verilindje dhe në zonën e Alpeve do të ketë reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me shpejtësi mesatare 8m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave pritet të fitojë shpejtësi deri 20m/sek
Valëzimi në det do të jetë i forcës 4-5 ballë.
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Lezhën prej mesnatës kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane. Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, si dhe në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.
Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Përmbytje janë raportuar edhe në disa segmente të aksit Lezhë–Shëngjin.
Ndërkohë, në pjesën më të madhe të territorit raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Ekipet përkatëse po punojnë për normalizimin e situatës.