
Rrëfimi mes lotësh i Karen Kulla ka tronditur komunitetin shqiptar në Kanada. Ajo tregon momentet e fundit të vajzës së saj, Savannah Kulla, 29-vjeç, e cila u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, në parkingun e një qendre tregtare të martën pasdite.
Savannah kishte shkuar për t’u takuar me ish-partnerin, i cili donte të kalonte kohë me vajzën e tyre 17-muajshe. Por takimi përfundoi tragjikisht.
“Thjesht nuk mund ta besoj që ajo ka ikur. Ajo ishte kaq e bukur, e zgjuar dhe ne e donim shumë,” rrëfeu nëna. Sipas saj, gjithçka nisi pas një debati për çantën me pelena:
“Dëgjova që ai i tha: ‘Më duhet çanta e pelenave’, dhe ajo iu përgjigj: ‘Do ta marr unë’. Ai iu kthye: ‘E harrove çantën e mallkuar!’ – dhe më pas e qëlloi tre herë.”
Karen Kulla tregoi se vajza e saj kishte qenë e frikësuar prej muajsh:
“Më tha rreth një muaj më parë: ‘Nëse qëndroj me të, ai do të më vrasë’.”
Savannah ishte nënë e katër fëmijëve dhe ishte ndarë nga Deschepper disa muaj më parë. Policia kanadeze bëri me dije se autori, 38-vjeçar, kishte precedentë penalë dhe ishte në kërkim për sulme me armë zjarri që nga viti 2023. Pas ngjarjes, ai u neutralizua nga oficerët gjatë ndjekjes.
Nëna rrëfeu gjithashtu se ish-partneri e kishte ngacmuar vazhdimisht në telefon:
“E thërriste qindra herë në ditë. Ndonjëherë ajo i përgjigjej vetëm për t’i thënë ‘më lër rehat’.”


