Fabion Kuçi, personazhi i njohur në TikTok si “Gucci”, ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Durrës. Mësohet se policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit, ndërsa deri më tani nuk është bërë me dije asnjë emër. Parapakisht dyshohet se sherri që ka përfunduar në plagosje mund të ketë nisur nga një konflikt në TikTok dhe më pas ka marrë përmasa të tjera.
Ndërkohë, është zbuluar edhe dëshmia e “Guccit”, i cili para policisë ka rrëfyer ngjarjen dhe shkakun. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka konfirmuar se autori i plagosjes është një tjetër personazh i rrjeteve sociale, emri i të cilit ende nuk është publikuar, por mësohet se është shpallur në kërkim. Sipas tij, gjithçka ka nisur nga sharjet në TikTok.
Lidhur me të dyshuarit, rezulton se ditëve të fundit “Gucci” është përplasur ashpër me fyerje dhe sharje në rrjete sociale me personazhe të tjerë si: Kozak Braçi “Kozaku” dhe Xhemal Uka (Fire). Ky i fundi, është i shpallur në kërkim edhe për një tjetër ngjarje të zbardhur pak ditë më parë. Bëhet fjalë për një plagosje të 6 dhjetorit në zonën e Freskut, në Tiranë.
