Në një kohë kur çdo fjalë e personazheve publikë ndikon drejtpërdrejt tek të rinjtë, Noizy po përdor ndikimin e tij për të promovuar kumarin.
Reperi më i ndjekur në Shqipëri ka postuar në Snapchat story ku fton publikisht ndjekësit e tij të shkojnë në Grand Casino Tirana, në Hotel Plaza, për ta parë “live” duke luajtur.
Në një nga postimet ai shkruan:
“Mrom kena kap fuqishem. Fati fillestarit. @grandcasino_tirana.”
Por ajo që ka shkaktuar më shumë reagime është mesazhi i dytë, ku ai premton shpërblime në para për të rinjtë që shkojnë ta ndjekin:
“A e din ça do bëj meqe kapa $€$ mrom. 50 vetat e parë që do vinë me na pa sonte tu lujt në Grand Casino Tirana në Hotel Plaza do ju jap $€$€$ nga ana ime për të lujt për qejf. See you 20:30 – 21:00.”


Në pamje të parë, një ftesë “për qejf”. Por në thelb, një promovim i hapur i lojërave të fatit përballë një audience të re që e ndjek verbërisht çdo veprim të tij.

Prej vitesh, tekstet dhe imazhi i Noizyt janë ndërtuar mbi glorifikimin e pasurisë, arrogancës dhe “fuqisë së rrugës”. Tani, me përfshirjen në fushatën e hapur të promovimit të kazinove, ai po e çon këtë ndikim në një nivel edhe më të rrezikshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se kumari është një ndër varësitë më të dëmshme për të rinjtë, ndërsa përhapja e tij nga figura me ndikim e bën fenomenin edhe më shqetësues.