
Gjykata Penale e Tiranës ka shpallur aktoren Egla Ceno fajtore për veprën penale të “Shpifjes” dhe e ka dënuar me një gjobë prej 1 milion lekësh të vjetra.
Egla Ceno, fituese e edicionit të fundit të “Big Brother VIP”, kishte deklaruar gjatë një emisioni televiziv se ishte ngacmuar seksualisht nga një moderator, duke përmendur mbiemrin “Kodra”.
Pas deklaratës së saj, Saimir Kodra reagoi publikisht dhe i drejtoi gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke kërkuar shpalljen fajtore të Cenos për dëmtim të imazhit dhe reputacionit të tij.
Gjatë procesit gjyqësor, Egla Ceno dha disa versione mbrojtjeje. Fillimisht tha se kishte frikë të paraqitej në gjykatë. Më pas deklaroi se nuk kishte përmendur emrin e plotë të moderatorit, vetëm mbiemrin “Kodra”. Në një seancë tjetër, ajo ndryshoi qëndrim dhe u shpreh se deklaratat e saj kishin karakter simbolik dhe nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me Saimir Kodrën.
Gjykata vendosi se deklaratat e Egla Cenos përbënin shpifje dhe dëmtonin imazhin e moderatorit, duke e dënuar me gjobë.


