Gazetari Elio Laze ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit pasi akuzohet për gjobëvënie. Burime për mediat bëjnë me dije se Laze është arrestuar pas denoncimit të shtetit Klaus Shaqiri, zyrtar i Shëndetit Publik, i cili kishte deklaruar se gazetari i kishte kërkuar një shumë prej 20 mijë eurosh.
Në momentin e arrestimit atij iu gjetën 5 mijë euro, ndërkohë që mësohet se pjesën tjetër të mbetur Shqiri do e kryente përmes tre kësteve në vijim.
Laze, pronar i portalit Priza.al, përmes artikujve të ndryshme ndaj zyrtarit në fjalë, e kanoste këtë të fundit duke i vënë “gjoba”.
Ka qenë prokurori Asllan Bajramaj ai i cili ka marrë në dorë dosjen e Lazes dhe pas hetimeve të kryera përmes veprimeve proaktive ai firmosi masën e arrestit me burg për gazetarin i cili akuzohet për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Kjo nuk është hera e parë që pronari i portalit Priza.al bie në prangat e Policisë. Në maj të vitit 2021 ai u arrestua pasi akuzohej për armë mbajtje pa leje dhe posedim të lëndëve narkotike.
Gjatë momentit ku efektivët kontrolluan mjetin e Lazes, i gjetën atij një pistoletë të markës “Ekol” me plumb në grykë, si dhe lëndë narkotike. Po ashtu nga analizat toksikologjike rezultoi se në momentin e arrestimit ai kishte qenë në efektin e substancave narkotike.