
Elvis Shkambi, autor
Është zbardhur identiteti dhe profili i autorit të vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në alarm sistemin e sigurisë në gjykata.
Autori është 31-vjeçari Elvis Shkambi, i cili qëlloi me armë zjarri gjyqtarin menjëherë pas shpalljes së vendimit në një çështje pronësie, ku pala humbëse ishte xhaxhai i tij. Burime hetimore bëjnë me dije se Shkambi kishte hyrë në sallën e gjyqit i armatosur me një pistoletë tip Beretta, duke e mbajtur armën me vete gjatë gjithë seancës, çka tregon për një plan të përgatitur paraprakisht.
Sapo gjyqtari Kalaja lexoi vendimin, Shkambi ngriti armën dhe qëlloi tre herë në drejtim të tij, duke e goditur dy herë në kraharor dhe një herë në bark. Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona të tjerë, babë e bir, që ishin palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Pas krimit, autori doli me qetësi nga salla, i dorëzoi armën rojes së sigurisë, dhe iu afrua efektivëve të policisë në hyrje të gjykatës duke deklaruar: “Unë jam autori.” Mësohet se ai e kishte mbushur armën me plumba brenda godinës, pak para se të niste seanca.
31-vjeçari Shkambi tashmë ka pranuar plotësisht autorësinë e krimit, ndërsa ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes dështimin e sistemit të sigurisë në gjykata, ku pavarësisht pajisjeve dhe kontrolleve elektronike, një person i armatosur arriti të hyjë brenda sallës së gjyqit dhe të ekzekutojë një gjyqtar në detyrë.