
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pas mesnatës në Prizren, ku një burrë ka sulmuar me thikë bashkëshorten dhe vajzën e saj të mitur, duke i lënë të dyja të plagosura rëndë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, agresori është identifikuar si Bashkim (Ramiz) Gashi, 51 vjeç, i cili jetonte në bashkëjetesë me të plagosurën, ndërsa vajza e mitur nuk ishte fëmija e tij biologjike.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:15 të mëngjesit, në rrugën “Rexhep Kabashi” të qytetit të Prizrenit. Policia është njoftuar për një rast dhune në familje dhe ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku ka hasur skenën e tmerrshme.
Në momentin e mbërritjes, bashkëshortja e autorit është gjetur në rrugë me plagë të shumta nga thika dhe gjakderdhje të fortë, ndërsa vajza e mitur është gjetur në katin e fundit të ndërtesës, po ashtu me plagë të rënda në trup.
Policia i ka ofruar ndihmën e parë nënës së vajzës deri në mbërritjen e ambulancës, ndërsa të dyja janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, i dyshuari është arrestuar menjëherë në vendngjarje dhe është shoqëruar për në stacionin policor. Prokurori kujdestar ka lëshuar urdhër ndalimi për 48 orë ndaj tij.
Ndaj Bashkim Gashit rëndojnë dy akuza të rënda penale:
Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e sulmit, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të ashpër në familje.
Autoritetet po vazhdojnë punën në terren dhe kanë sekuestruar armën e krimit – një thikë kuzhine me gjurmë gjaku.


