18-vjeçarja Vikena Greku, e cila humbi jetën dy ditë më parë në një aksident tragjik në Urën e Dajlanit në Durrës, prej disa vitesh jetonte në Gjermani së bashku me prindërit e saj, Vullnetin dhe Valbonën, si dhe me vëllain e vogël.
Sipas burimeve pranë familjes, e reja ishte kthyer së fundmi në Shqipëri për të vizituar gjyshërit e saj. Pas largimit të prindërve drejt Gjermanisë disa vite më parë, Vikena dhe vëllai i saj, Nevio, kishin qëndruar për një periudhë me gjyshërit në fshatin Dyshnik të Beratit, ku edhe ndoqën arsimin 9-vjeçar, deri në momentin kur prindërit arritën të siguronin dokumentacionin e nevojshëm për t’i marrë me vete jashtë vendit.
Vikena kishte vite që nuk ishte kthyer nga Gjermania dhe malli për gjyshërit e saj e riktheu në vendlindje. Sot, familja Greku ka hapur dyert e mortit për t’i dhënë lamtumirën mes dhimbjes dhe lotëve vajzës së tyre, e cila u nda nga jeta në lulëzimin e rinisë.