Hetimet zbulojnë një rast të tmerrshëm në Reggio Calabria, ku një 25-vjeçare akuzohet për mbytjen e tre foshnjave.
Një histori e pabesueshme ka tronditur Italinë, pas zbulimit të një krimi të tmerrshëm që ka ndodhur brenda mureve të një banese në Mesinë. Një vajzë vetëm 25 vjeç akuzohet se ka mbytur tre foshnjat e saj të porsalindura, duke fshehur trupat e tyre në një dollap për muaj të tërë, raportojnë mediet italiane.
Ngjarja doli në dritë në korrik 2024, kur nëna e vajzës ndjeu një erë të rëndë që vinte nga dhoma e saj. E tronditur, ajo vendosi të kontrollonte dhe u përball me një pamje që do t’i mbetet përjetë në mendje: trupat e dy foshnjave të mbështjellë me batanije, të fshehur me kujdes në dollap. Ajo njoftoi menjëherë policinë, duke zbuluar kështu një histori të errët që kishte ndodhur në heshtje.
Hetimet zbuluan se në mbrëmjen e 8 korrikut 2024, e reja kishte qenë vetëm në shtëpi për rreth një orë e gjysmë – periudhë gjatë së cilës besohet se ka lindur dhe më pas ka mbytur foshnjat. Pak më vonë, ajo ishte paraqitur në spital për gjakderdhje të fortë, por kishte mohuar kategorikisht se kishte qenë shtatzënë.
Analizat mjekësore rrëzuan pretendimet e saj. Ekspertiza tregoi se foshnjat kishin lindur të gjalla dhe se vdekja ishte shkaktuar nga mbytja.
Por ky nuk ishte rasti i parë. Hetuesit zbuluan mesazhe të vjetra që tregonin se edhe në vitin 2022, 25-vjeçarja kishte kaluar një situatë të ngjashme, duke lindur fshehurazi dhe më pas duke eliminuar gjurmët e fëmijës.
Aktualisht, ndaj saj është vendosur masa e arrestit në banesë nën mbikëqyrje elektronike, ndërsa partneri po hetohet për ndihmë dhe bashkëpunim në krim.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar rastin si një nga më të rëndët e viteve të fundit, një akt që ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur sërish pyetjen dramatike: si mund të ndodhin tragjedi të tilla brenda familjes, pa u vënë re nga askush?