Fitorja e madhe e Shqipërisë ndaj Serbisë ka ndezur emocionet e çdo shqiptari kudo në botë — dhe mes të parëve që reagoi ishte Luiz Ejlli, i cili prej kohësh është kthyer në një simbol krenarie kombëtare dhe frymëzimi për publikun.
Në një postim në “Instagram”, këngëtari dhe fituesi i “Big Brother VIP” ka shpërndarë një mesazh të fortë pas triumfit dramatik të kuqezinjve, falë golit vendimtar të Rey Manajt në minutat e fundit të takimit.
“Sonte Shqipëria tregoi shpirtin e një kombi që nuk dorëzohet kurrë. Kjo fitore është një mesazh krenarie, uniteti dhe besimi. Është kujtesë se kur jemi bashkë, jemi të pathyeshëm. Shqipëria nuk shkon në Botëror për të marrë pjesë, por për të bërë historinë!” – shkroi Ejlli në “story”-n e tij.
Postimi i Luizit u bë menjëherë viral, duke marrë mijëra shpërndarje dhe komente nga fansa që e përgëzonin për fjalët e tij plot emocione dhe dashuri për vendin.
Në rrjetet sociale, shumë tifozë kanë ironizuar se “edhe kur nuk është në fushë, Luizi di ta ngrejë moralin e Kombëtares”, duke e quajtur atë “talismanin e fatit kuqezi”.
Fitorja e Shqipërisë në tokën serbe është cilësuar tashmë si një nga momentet më të paharrueshme në historinë e futbollit shqiptar, ndërsa reagimi i Luiz Ejllit vjen si një zë i bashkuar i miliona shqiptarëve që ndjehen sot më krenarë se kurrë.
