Moderatorja dhe influencerja e njohur, Kiara Tito, ka folur hapur për mënyrën se si ajo dhe bashkëshorti i saj, Luiz Ejlli, përballen me kritikët dhe komentet negative që shpesh qarkullojnë në rrjetet sociale. Për këtë ajo zgjodhi rrugën e sinqeritetit gjatë një sesioni pyetjesh në Instagram, ku një ndjekës e pyeti se si ndihet kur njerëzit flasin keq për bashkëshortin e saj.
Në pyetjen:
“Si ndjehesh kur bashkëshortit çfarë nuk i thonë, fjalët më negative, e si ndjehet ai?”
Kiara iu përgjigj me qetësi, duke theksuar se negativiteti i të tjerëve shpesh reflekton më shumë mbi gjendjen e tyre personale sesa mbi personin për të cilin flitet:
“Kur dikush flet keq për ty, zakonisht tregon më shumë për gjendjen e tij se për ty. Nuk më prek, disa thjesht kanë nevojë për ndihmë, jo për përgjigje.”
Moderatorja shtoi gjithashtu se edhe bashkëshorti i saj nuk humb kohë me shpifjet dhe komente të dëmshme:
“Luizin e keni parë, besoj, që nuk merret me llafe dhe as nuk i bëjnë përshtypje shpifjet dhe mallkimet e disa njerëzve që nuk kanë një jetë.”
Me këtë mesazh, Kiara duket se dëshiron të dërgojë një sinjal të qartë për ata që përpiqen të përfshijnë çiftin në debate publike, duke treguar se ata zgjedhin të fokusohen tek gjërat pozitive dhe të mos u japin rëndësi negativitetit.
Përveç jetës private, Kiara Tito është aktive dhe në karrierën profesionale, duke marrë drejtimin e show-t të njohur të humorit, “Portokalli” në Top Channel, ku po sjell freski dhe energji të re për publikun. Ajo duket e vendosur të mbajë ekuilibrin mes jetës publike dhe private, duke treguar se nuk lejon që negativiteti i të tjerëve ta ndikojë.
