Arbana,
nuk po të shkruajmë si ndjekës, as si kritikë që duan të kapin një moment tëndin për ta kthyer në klikime. Po të shkruajmë si njerëz që e duan median, atë të vërtetën, të përgjegjshmen, atë që nuk shet ‘dhimbjen’ për audiencë.
Kur pamë nga trailier-i se i ftuari yt i radhës ishte Fero, diçka u thye. Na beso, jo për faktin se çdo njeri meriton të dëgjohet, por për mënyrën si zgjodhe ta dëgjosh. Sepse kur një burrë që është akuzuar për dhunë ndaj partneres del në një podcast, në një studio të ndriçuar, me një moderatore të dashur e të respektuar si ti, nuk është thjesht “një intervistë”. Kemi bindjen se është një akt publik i rehabilitimit moral. Një ftesë për të harruar plagët që ende s’janë mbyllur.
Po, ti mund të thuash se doje ta dëgjoje anën e tij. Se kjo është gazetari. Por gazetaria nuk është neutrale kur përballë ka trauma. Nuk është simetri midis viktimës dhe atij që e ka bërë të vuajë. Është përgjegjësi. Është kujdes. Është të dish kur një zë mund të lëndojë më shumë sesa të ndriçojë.
Në momentin që kamera u ndez, dhe Fero foli për dashurinë, për vajzën e tij, për keqkuptimet shumë gra që kanë kaluar të njëjtën dhunë e ndjenë trupin të ngurtësohej. Sepse e panë veten në një realitet ku dhunuesit flasin për “emocione”, ndërsa ato ende nuk janë dëgjuar. Nëse nuk e ke lexuar aktakuzën e publikuar në media ose stafi s’të ka vënë në dijeni, Fero akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe sjellje kërcënuese ndaj ish-bashkëshortes së tij, modeles Arbenita Ismajli, në periudhën qershor – tetor 2024. Përveç dhunës, Fero dyshohet se ka kryer veprën penale të ngacmimit seksual. Ai thuhet se në mënyrë të vazhdueshme e ka ngacmuar me çdo lloj sjelljeje të padëshiruar verbale dhe fizike.
Në aktakuzë thuhet se ai e ka puthur Arbenitën kundër vullnetit të saj, duke i thënë: “Ti je gruaja jem, unë kam të drejtë me fjet me ty… nuk ki të drejtë me m’thanë jo”.
Aktakuza gjithashtu përfshin detaje shqetësuese të kërcënimeve të Feros, përmes mesazheve në WhatsApp, përfshirë fjalët: “Ke me ma ni krismën… të vraj… ta nxjerri shpirtin prej vendit… fëlqitë nga vendi t’i thej…”.
Arbana, ne kemi parë të rritesh si figurë që ndërton ura, që sjell humanitet. Por këtë herë, u ndërtua një urë e rrezikshme: midis dhimbjes dhe normalizimit të saj.
Askush nuk të kërkon të mos intervistosh. Por të kërkojmë që të kujdesesh për kuptimin që mbart çdo fjalë, çdo kornizë, çdo zë që zgjedh të amplifikosh.
Sepse në një vend ku vajzat e gratë ende vriten nga duart që i dashuruan dje, një mikrofon nuk është kurrë neutral.
Ne nuk duam të të “anulojmë”. Duam që të kujtojmë së bashku pse filluam ta bëjmë këtë profesion, për të dhënë zë atyre që nuk kanë, jo atyre që e kanë përdorur keq.
Në fund, ky nuk është një sulm ndaj teje. Është një kujtesë. Disa histori duhen trajtuar me zemër, maturi dhe pak ndjenja njerëzore nëse na kanë mbetur akoma, jo me statistikat e shikueshmërisë.