Astrit Isufi, pronar i një auto-servisi në Komoran të Drenasit, është i dyshuari për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të enjten në mesditë në Golluboc të Malishevës.

Isufi, me origjinë nga Sankoci, fshat në Komunën e Gllogocit, dyshohet se vrau me armë zjarri Naim dhe Driton Morinën, dy miqtë e tij. Viktimat, sipas raportimeve të mediave, janë vëllezër me bashkëshorten e të dyshuarit.
Vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:30, tha Policia e Kosovës.
Lexo edhe:
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka thënë se janë duke ndërmarrë gjitha veprimet për rastin tragjik.
“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, tha ai.
I dyshuari, Astrit Isufi, ndodhet në arrati nga organet e rendit.
Raportohet se njësitet policore kanë kryer të enjten bastisje në Auto-Servis ‘Astriti’ në Komoran të Drenasit, i cili është në pronësi të të dyshuarit.