Rrjeti i supermarketeve “Big Market” po përballet sërish me ankesa nga konsumatorët, të cilët pretendojnë se po përballen me çmime të manipuluara, një praktikë që, sipas tyre, i detyron të paguajnë më shumë se sa çmimi i afishuar në raft.
Sipas disa qytetarëve, kjo situatë është bërë e përsëritur:
çmimi i produktit i shënuar në raft rezulton më i ulët, ndërsa në arkë shfaqet një vlerë më e lartë.
Një prej denoncuesve tregon se për një produkt të caktuar, çmimi i vendosur në raft ishte 800 lekë, ndërsa në arkë iu kërkua 900 lekë. Ai shton se edhe pas disa ditësh, çmimet në raft nuk u korrigjuan, gjë që – sipas tij – rrit dyshimet se kjo praktikë mund të jetë e qëllimshme dhe jo një gabim i rastësishëm.
Në rrjetet sociale qarkullojnë gjithnjë e më shumë reagime të ngjashme nga konsumatorë të tjerë, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për verifikimin e këtyre rasteve dhe garantimin e transparencës në treg.


