Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Bokshiq të Klinës, ku një person është vrarë me armë zjarri nga i vëllai.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një person të plagosur me armë zjarri.
“Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasoje e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës”, thuhet në njoftim, sipas REL.
Spitali Rajonal i Pejës ka bërë të ditur se viktima, i lindur në vitin 1977, ka arritur pa shenja jete në spital rreth orës 15:30.
Autori i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, autori i dyshuar është vëllai i viktimës dhe ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti familjar mes tyre.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në vendngjarje është sekuestruar arma që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje të rëndë.