Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme (1 nëntor) në fshatin Gjorm të Selenicës, ku një 36-vjeçar është vrarë në mes të fshatit.
Viktima është identifikuar si Dalan Alliaj, 36 vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij pranë banesës.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i krimit është Bertil Aliaj, djali i xhaxhait të viktimës. Pas kryerjes së krimit, ai është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se po fshihet.
Burime nga policia bëjnë me dije se Bertil Aliaj është person në kërkim prej vitit 2015, pasi ka qenë i përfshirë në “masakrën e Çoles”, një ngjarje e rëndë që ndodhi në Vlorë pas një konflikti në një kazino, ku mbetën të vrarë tre të rinj: Akil Hasanaj (Haki Rakipi), 29 vjeç, Ardi Velaj (Ferdian Velaj), 27 vjeç, dhe Albi Limaj, 21 vjeç.
Megjithëse në kërkim për atë ngjarje, Bertil Aliaj raportohet se ka qëndruar shpesh në zonën e Gjormit, pa u shqetësuar nga autoritetet. Ai kishte marrë një dënim në mungesë për përfshirjen në ngjarjen e vitit 2015.
Policia e Vlorës njofton:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.”
Aktualisht, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe motivet që çuan në vrasjen e 36-vjeçarit.