Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme fshatin Majac në Podujevë, ku një burrë ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa dy gra kanë mbetur të plagosura.
Viktima është identifikuar si Ilaz Brahimi, 42 vjeç, i cili dyshohet se është qëlluar brenda një automjeti. Si autore e dyshuar e krimit përmendet Ardita Gashi, rreth 30 vjeç, e cila dyshohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën.
Sipas të dhënave paraprake, marrëdhënia mes tyre kishte kaluar në krizë dhe çifti ishte drejt ndarjes. Dyshohet se Gashi e ka ftuar 42-vjeçarin për një takim, dhe sapo ai ka mbërritur, ka qëlluar disa herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen.
Ngjarja është përshkallëzuar edhe më tej kur një familjare e autores, bashkëshortja e xhaxhait të saj, ka shkuar në vendngjarje pasi ka dëgjuar të shtënat. Edhe ajo është qëlluar dhe ka mbetur e plagosur rëndë.

Pas aktit, e dyshuara është mbyllur në banesë dhe ka kërcënuar personat që tentonin t’i afroheshin, duke krijuar një situatë alarmante. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë, përfshirë njësitë speciale, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e saj.
Gjatë ndërhyrjes, dyshohet se autorja ka tentuar të vetëlëndohet dhe është gjetur e plagosur në kokë. Ajo, së bashku me familjaren e plagosur, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.