Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 30-vjeçarit shqiptar, Gjergj Pergegaj, në Arezzo.
Sipas mediave italiane, autori i dyshuar është partneri aktual i ish-të dashurës së viktimës. Referuar raportimit të La Nazione, 35-vjeçari me origjinë shqiptare i ka parë të dy duke biseduar së bashku, çka ka sjellë reagimin fatal.
Në një moment tensioni, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të Pergegajt, duke e goditur me një plumb në fyt, plagë që rezultoi vdekjeprurëse.
Nga hetimet paraprake mësohet se dy burrat njiheshin me njëri-tjetrin. Viktima, i cili punonte si kamerier në një restorant, kishte përfunduar turnin dhe po fliste me ish-partneren e tij kur ndodhi ngjarja.
I dyshuari, sapo i ka parë bashkë, ka humbur kontrollin dhe ka hapur zjarr ndaj 30-vjeçarit. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por për shkak të plagës në fyt, i riu nuk mundi të mbijetonte.
Pas krimit, autori u largua, por policia dhe karabinierët nisën menjëherë kërkimet dhe arritën ta lokalizonin brenda pak orësh. Ai nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit.
Ndërkohë, trupi i viktimës është transportuar në Spitali San Donato, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme.