Mynih – Panik dhe nervozizëm në aeroportin e Mynihut! Të enjten mbrëma, pak pas orës 22:30, u dha urdhri për mbylljen e menjëhershme të aeroportit pasi disa dronë të paidentifikuar u panë duke fluturuar mbi pistë.
Policia federale konfirmoi se pamjet u vërtetuan nga oficerë në terren, por për shkak të errësirës nuk dihet as tipi e as madhësia e dronëve. Autorët mbeten të zhdukur, edhe pse në kërkim u përfshinë helikopterë policie.
Pasojat ishin dramatike: 17 avionë nuk mundën të niseshin, ndërsa 15 të tjerë u devijuan në aeroporte të tjera si Stuttgart, Nurnberg, Vjenë dhe Frankfurt. Afro 3000 pasagjerë mbetën të bllokuar në terminal – u shpërndanë vetëm ujë, snacks dhe shtretër fushorë për të kaluar natën.
Mëngjesin e së premtes trafiku ajror rifilloi normalisht, por incidenti nxiti zemërim të madh, pasi ndodhi pikërisht në fundjavën e fundit të Oktoberfestit, kur mijëra vizitorë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt kryeqytetit bavarez.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa ende nuk dihet kush fshihet pas këtyre dronëve misteriozë që paralizuan aeroportin e dytë më të madh të Gjermanisë.