Screenshot
Ish-banorja e BBVK-së, ka bërë së fundmi disa deklarata të forta në një intervistë, ku ka folur hapur për përvojën e saj brenda shtëpisë dhe mënyrën se si, sipas saj, funksiononte produksioni.
Jasmina, e cila qëndroi vetëm dy javë në BBVK, u shpreh se që gjatë lojës kishte ndjerë qartë se produksioni i kishte “të ndarë” banorët e preferuar. Sipas saj, kjo gjë reflektohej jo vetëm në qasjen e stafit, por edhe në hapësirat që u jepeshin banorëve gjatë spektaklit.
“Nuk të jepnin hapësira. Banorët e dinë kush është i preferuar nga publiku, sepse duket nga qasja e produksionit”, u shpreh ajo.
Një tjetër element që Jasmina e cilësoi si të çuditshëm ishte fakti se disa banorë, sipas saj, kishin informacione që i dinin vetëm persona jashtë shtëpisë. “Ato brenda dinin informata që i dinë vetëm ato jashtë”, tha ish-banorja, duke ngritur pikëpyetje mbi barazinë e lojës.
Ajo foli edhe për vështirësitë me Dhomën e Rrëfimit, duke theksuar se shpesh herë kërkonte gjatë gjithë ditës për të hyrë, por nuk i jepej mundësia. “Dhoma e rrëfimit të jepej me arrogancë”, u shpreh Jasmina, duke shtuar se në një moment kishte kuptuar se si po perceptohej jashtë dhe kishte menduar seriozisht largimin nga loja.
Sot, duke e parë eksperiencën nga jashtë, ajo shprehet se është penduar për pjesëmarrjen:
“Më mirë të mos isha futur fare. Më duket sikur e kam ulur figurën time. Brenda nuk tregova asgjë dhe dola shumë keq”, tha ajo me sinqeritet.
Një tjetër zhgënjim personal për Jasminën mbetet mungesa e kontaktit pas daljes nga shtëpia. Ajo zbuloi se i ka “ngelur hatri” që Olsa Muhameti nuk e ka kontaktuar më pas përfundimit të eksperiencës së saj në BBVK.
E pyetur se kush sipas saj shtirej më shumë brenda shtëpisë, Jasmina nuk hezitoi të përmendë disa emra: Elijona dhe Alba Pollozhani, duke shtuar se në fakt “pak a shumë të gjithë shtiren, por këto e kanë më të theksuar”.
Deklaratat e saj kanë ngjallur reagime dhe diskutime të shumta në rrjet, duke rihapur debatin mbi transparencën, favorizimet dhe mënyrën se si funksionon produksioni i një prej formateve më të ndjekura televizive në Kosovë.