Xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjovalin Shkambi, shoqërohet në polici.
Mësohet se Gjovalin Shkambi është ndaluar nga policia pas kërcënimeve publike që ka bërë së fundmi. Ai deklaroi me tone të forta se gjyqtari që do të dënonte nipin e tij, Elvis Shkambi, i dyshuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, “do të kishte të njëjtin fat” si viktima e fundit. Kërcënimet e tij kanë alarmuar autoritetet, të cilat menjëherë kanë ndërhyrë për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe të personelit të gjykatës.
“Ne këtë objekt e kemi privatizuar, konform të gjitha ligjeve. Objektin na e ka shitur shteti, ka 13 vite që e kemi privatizuar. Janë tallur me ne, na e kanë përdhunuar. Ne duke i shkruar Edi Ramës… I pari që e ka marrë pronën është axha i babës me vëllezër dhe im atë. E kemi marrë në 1994. Para komunizmit ka qenë prona e gjyshit të babës tem, e stërgjyshit. Në kohën e Zogut, Ahmet Zogu Sulçebekun e ka shpallur në kërkim për ta ekzekutuar. Binak Pjetra, gjyshi i babës tem e ka shpëtuar, ja ka dhuruar dhe ka paguar taksat bashkisë të asaj kohe. Letrat janë të dokumentuara në të gjitha gjykatat.
Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë.”– deklaronte Shkambi.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik dhe ka rritur tensionin rreth procesit gjyqësor, ndërsa policia po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të vlerësuar rrezikun e mundshëm nga deklaratat kërcënuese të Shkambit.