
Numri i përgjithshëm i shtrimeve në spitale gjatë periudhës janar-gusht 2025 ka pësuar një ulje të lehtë, duke arritur 209,7 mijë pacientë të shtruar, 3% më pak se një vit më parë, sipas raportit 8-mujor të Ministrisë së Shëndetësisë.
Megjithatë, disa shërbime të specializuara kanë shënuar rritje të dukshme. Repartet e kardiologjisë trajtuan 7,543 pacientë, nga 6,419 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 17.5%. Mjekët paralajmërojnë se faktorë si ndotja e lartë, mungesa e aktivitetit fizik, kequshqyerja dhe plakja e popullsisë po ndikojnë në rritjen e sëmundjeve kardiake. Sipas mjekut Ilir Allkja, edhe mosdiagnostikimi i hershëm në rrethe dhe mungesa e stafit klinik në spitalet rajonale kontribuojnë në shtimin e rasteve.
Edhe shërbimi psikiatrik ka shënuar rritje të dukshme. Për periudhën janar-gusht 2025, numri i të shtruarve në spitalet psikiatrike u rrit 36%, duke arritur 1,129 pacientë. Mjekët lidhin këtë rritje me mungesën e strategjive kombëtare për trajtimin ambulator të përdoruesve të alkoolit, hashashit dhe drogave të tjera, gjë që ka pasoja edhe në dhunën në familje dhe shoqëri.
Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje të shtrimeve dhe trajtimeve në disa shërbime mbështetëse:
Pacientët që kanë marrë dializë u rritën nga 136,986 në 140,509 (2.5%). Njësitë e urgjencës përballuan 97,273 raste, 3% më shumë se një vit më parë. Kirurgjia e syve (katarakt) u rrit 15%, nga 2,497 në 2,876 pacientë. Depistimi për kancerin e gjirit u rrit 61%, ndërsa ai për kancerin e qafës së mitrës ra 32%, nga 4,706 në 3,225 gra. Trajtimet me radioterapi u ulën 4.5%.
Sipas mjekëve, këto të dhëna reflektojnë rritjen e problemeve shëndetësore të lidhura me jetesën stresuese, plakjen e popullsisë dhe mungesën e kujdesit parandalues në komunitet.
