Ngjarja e rëndë që i mori jetën një 7-vjeçari në Tiranë ka tronditur opinionin publik, ndërsa dhimbja e familjes vijon të prekë këdo që ndjek këtë histori.
Së fundmi, një reagim tepër prekës ka ardhur nga daja i vogëlushit, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e nipit të tij. Në një foto të publikuar, ai shihet pranë vogëlushit, ndërsa fjalët që e shoqërojnë postimin janë të thjeshta, por rrëqethëse.
“Jetë dajes… qofsh banor i xhenetit”, shkruan ai, duke i uruar paqe shpirtit të të miturit dhe duke shprehur dashurinë e pafund për të.
Ky mesazh i ndjerë ka prekur thellë ndjekësit në rrjet, të cilët kanë reaguar me komente ngushëlluese dhe solidaritet për familjen që po përballet me një humbje kaq të madhe.
Ngjarja tragjike ndodhi më 24 shkurt në rrugën “Kastriotët” në Tiranë, ku 7-vjeçari u përplas nga dy automjete njëri pas tjetrit, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Rasti vijon të jetë nën hetim për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë.
Mes zhvillimeve ligjore dhe reagimeve publike, dhimbja e familjes mbetet e papërshkrueshme, ndërsa mesazhe si ky i dajës së vogëlushit kujtojnë tragjedinë njerëzore që qëndron pas lajmit.
