Francesk Shkambi dhe vëllai
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Michigan mbrëmjen e së dielës, ku 44-vjeçari Francesk Shkambi u qëllua për vdekje me armë zjarri jashtë restorantit ku punonte. Viktima, me banim në Howell, ishte menaxher dhe bashkëpronar i restorantit Prime 7 në Commerce Township.
Mes dhimbjes së madhe, familja Shkambi ka ndarë fjalë të thella prekëse në rrjetet sociale. Vëllai i Franceskut publikoi një mesazh që ka prekur shumë njerëz:
Dje u nda nga jeta vllai jone i vogël, Çesku , dhe dhimbja që kam është e papërshkrueshme. Ala nuk e besoj që nuk je ma me ne.
Çesk, ti ishe zemra e familjes, gjithmonë i dashur, i qeshur dhe plot jetë.
Kujtimet me ty do i mbaj përgjithmonë, zanin tan, buzëqeshjen tane dhe mënyrën si na gëzoje te tanve.
Largimi jot la një boshllëk që askush nuk mund ta mbush,
U prehsh në paqe, vllai jonë i dashur,
Çesk do të jetosh në zemrat tona përjetë. 🕊️💔

Ky mesazh zemërthyes ka marrë qindra reagime dhe ngushëllime nga miq, të afërm dhe komuniteti, që e njihnin Franceskun si një njeri të qetë, punëtor dhe shumë të dashur.
Sipas autoriteteve amerikane, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 me orën lokale, teksa Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit. Ai u dërgua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Rreth 20 minuta më pas, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet se u përdor në krim dhe që rezultonte e vjedhur.
Policia ka bërë të ditur se viktima dhe autori njiheshin dhe se mes tyre kishte një konflikt të mëhershëm, megjithëse shkaqet ende nuk janë bërë publike. Çështja pritet t’i kalojë prokurorisë për akuzat zyrtare.