
Ish-kryeministri Fatos Nano ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Burime pranë familjes bëjnë me dije se ai është i shtruar në një spital privat në Tiranë prej 12 ditësh, pas problemeve të rënda me mushkëritë.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, Nano ndodhet në reanimacion që prej datës 8 tetor, pasi ka pësuar arrest kardiorespirator, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet me prognozë të rezervuar.
“Pacienti ka disa ditë i hospitalizuar, në gjendje të rëndë pas një arresti kardiorespirator. Aktualisht pacienti konsiderohet në gjendje shumë të rëndë, me prognozë të rezervuar,” – thuhet në njoftimin e spitalit.
Kjo nuk është hera e parë që Fatos Nano përballet me probleme serioze shëndetësore. Dy vite më parë, ai kaloi disa javë i intubuar për shkak të komplikacioneve në mushkëri, por arriti të përmirësohej falë ndërhyrjes së mjekëve.
Nano, 73 vjeç, ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar. Ai është themeltar dhe kryetar i parë i Partisë Socialiste, si dhe ka mbajtur detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë në disa periudha pas viteve ’90.


