
I zhdukur prej 13 shtatorit! ‘Mund ta kenë marrë për trafik organesh’, me lot në sy, Denis Kola kërkon ndihmë për gjetjen e vëllait
22-vjeçari Elkrist Kola nga Fushë-Arrëzi rezulton ende i zhdukur që prej 13 shtatorit. Pas shumë kërkimesh, familja duket se është dorëzuar dhe kërkon ndihmën e policisë për gjetjen e të riut me probleme të shëndetit mendor.
Këto janë momentet e fundit të regjistruara nga kamerat e sigurisë në qytetin e Fushë-Arrëzit. Shihet 22-vjeçari Enkrist Kola, pak para se të humbiste çdo kontakt me familjen. I riu është zhdukur në rrethana ende të paqarta që prej datës 13 shtator, ndërsa kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Prej më shumë se dy javësh, familjarët jetojnë në ankth e pasiguri. Duke pritur çdo ditë një lajm që mund t’u japë shpresë për gjetjen e tij.
Në një rrëfim për News24, vëllai i tij, Denis Kola, tregon detajet e fundit përpara se Enkristi të zhdukej.
“Rreth orës 07:30–08:00, ai i tha babait se do të dilte, pasi do ta merrte një burrë për t’u takuar. Ai kishte disa probleme mendore, ndaj babai nuk e mori shumë seriozisht. Kur u kthye më vonë, nuk e gjeti më në shtëpi. Edhe unë, kur u ktheva rreth orës 10:00, e kërkova në gjithë qytetin, por nuk arrita ta gjeja atë natë,” – tregon Denis Kola.
Ndërkohë vëllai i 22-vjeçarit shton se Enkristi kishte marrë me vete telefonin e babait, por nuk iu përgjigj asnjë prej thirrjeve telefonike.
“I bija telefonit, i shkonte thirrja, por nuk përgjigjej. Pas 48 orësh pa asnjë kontakt, babai vendosi të bënte denoncim në polici. Kërkesa jonë është që të gjurmohen lëvizjet e tij përmes qelizave telefonike, por duket se telefoni është i fikur. Dyshojmë se mund ta kenë marrë për trafik organesh” – thotë ai.
Gjithashtu për familjen Kola, kjo është një periudhë e mbushur me pasiguri dhe frikë. Çdo ditë që kalon pa një lajm, e bën më të rëndë barrën emocionale që ata mbajnë.
“Ne duam vetëm ta dimë që është mirë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, vetëm të kthehet në shtëpi,” – shprehet Denis Kola me lot në sy.
Ndërkohë një ngjarje që mbetet ende e mbuluar nga misteri, familjarët i bëjnë apel institucioneve të shtetit të intensifikojnë kërkimet dhe të ndihmojnë në gjetjen e 22-vjeçarit, duke i dhënë fund ankthit që po i shoqëron prej ditësh.