Pas ngjarjes së rëndë në Librazhd, ku një 36-vjeçar helmoi me valium prindërit e bashkëshortes së tij për t’u vjedhur pensionin, ka folur publikisht gruaja e autorit, e cila ka treguar detaje tronditëse nga jeta me të dhe momentet para krimit.
Ajo rrëfen se për vite me radhë ka jetuar nën dhunë dhe sjellje agresive, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj fëmijëve të tyre.
“Ishte agresiv në shtëpi, fëmijët kishin frikë. Sjelljet e tij ishin bërë të padurueshme. Nuk e njihja më”, tregon ajo.
Sipas saj, ditën tragjike Ismail Kllogjeri ishte nisur drejt shtëpisë së prindërve të saj me justifikimin se “erdha t’ju shoh si jeni”, por qëllimi ishte krejt tjetër.
Lexo edhe:
Ajo tregon se si ai u ka ofruar të moshuarve një gotë limonadë ku kishte hedhur valium.
“Mami nuk deshi ta pinte. Ai ia dha me zor. E shtyu që ta merrte gotën. Pastaj gjithçka ndodhi shumë shpejt…”, shprehet gruaja e autorit, e tronditur nga fakti se bashkëshorti i saj rrezikoi jetën e prindërve vetëm për të marrë pensionin.
Ajo shton se familja e saj kishte pasur probleme të vazhdueshme me të, por askush nuk e kishte menduar se situata do të përfundonte në një ngjarje kaq të rëndë.
Ndërkohë, policia arrestoi 36-vjeçarin Ismail Kllogjeri, i cili akuzohet për intoksikimin e rëndë të të moshuarve dhe grabitjen e parave të tyre.