Policia ka vënë në pranga Xhelal Rrajën, i cili ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Ndaj Rrajës, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
Njoftimi i Policisë:
Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xhelal Rraja. Xhelal Rraja ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Xhelal Rraja, është vëllai i ish-deputeti socialist Rrahman Rraja dhe akuzohet për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Arben Ndoka, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ndoka do të vritej gjatë ngushëllimit të vdekjes së një gjyqtari.
Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë ndaj personave që u lëshuan urdhër arrestet nuk ndodhen në Shqipëri. Emrat dhe rolet e i tyre dolën në skenë, pas zbërthimeve të aplikacioneve Sky ECC dhe Encro Chat.