Një miliarder amerikan i ka dhuruar 65,000 dollarë amerikanë Ahmed al-Ahmed, qytetarin që u kthye në simbol guximi pas sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach, ku ai u përball drejtpërdrejt me një nga autorët e masakrës dhe i rrëmbeu armën.
Pamjet që qarkulluan në rrjet tregojnë momentin kur 43-vjeçari, pronar i një dyqani frutash, vrapon drejt personit të armatosur, i merr armën dhe më pas e drejton atë ndaj sulmuesit, duke e detyruar të tërhiqet dhe duke shmangur pasoja edhe më të rënda.
Ndërkohë, për Ahmed al-Ahmed është hapur edhe një fushatë online për mbledhje fondesh, e cila ka arritur të mbledhë afro 1 milion dollarë, sipas platformës GoFundMe. Dhurimi më i madh vjen nga William Ackman, CEO i Pershing Square Capital Management, i cili e ka cilësuar Ahmedin si një “hero të guximshëm” për veprimin e tij vendimtar që shpëtoi jetë njerëzish.
Familjarët kanë bërë me dije se Ahmed al-Ahmed është qëlluar katër deri në pesë herë në shpatull, ndërsa aktualisht ndodhet i shtruar në spital, duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Kush është Ahmed al-Ahmed?
Ahmed al-Ahmed, 43 vjeç, është një qytetar i Sydney-t, mysliman dhe pronar i një dyqani frutash në zonën e Sutherland. Ai është baba i dy fëmijëve dhe, sipas familjarëve, nuk ka pasur kurrë përvojë me armët. Si pasojë e incidentit, ai ka marrë plagë në shpatull, krah dhe dorë dhe ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve.
Veprimi i tij është vlerësuar gjerësisht nga autoritetet australiane. Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, e përshkroi Ahmed al-Ahmed si një “hero të vërtetë”, duke lavdëruar guximin dhe vendosmërinë e treguar në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme. Një tjetër qytetar që ndodhej në vendngjarje tentoi gjithashtu të ndihmonte në neutralizimin e sulmuesit, por nuk arriti të qëllonte.
Sulmi terrorist ndodhi gjatë një feste të Hanukah në një nga zonat më të frekuentuara të Australisë. Si pasojë, të paktën 15 persona humbën jetën, ndërsa 27 të tjerë u plagosën. Kryeministri australian Anthony Albanese e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë antisemitizmi, duke theksuar se qeveria do të ashpërsojë më tej ligjet për armët.