
Një ngjarje e rëndë kriminale e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin Novo Mesto, në juglindje të Sllovenisë, ka tronditur opinionin publik dhe ka çuar në dorëheqjen e dy ministrave të qeverisë.
Sipas mediave lokale, një 48-vjeçar slloven është sulmuar brutalisht nga disa persona pranë një restoranti të njohur, ndërsa kishte shkuar të merrte fëmijën e tij. Viktima ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Autoritetet kanë arrestuar një 20-vjeçar nga komuniteti Rom, i dyshuar si autor i ngjarjes së rëndë. Mësohet se para vrasjes së 48-vjeçarit, i njëjti person kishte sulmuar një të ri shqiptar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Ngjarja ka shkaktuar tensione raciale në zonë, pasi sipas dëshmive të qytetarëve, Novo Mesto prej kohësh përballet me nivel të lartë krimi, vjedhjesh dhe grabitjesh, që shpesh i atribuohen komunitetit Rom që banon aty.
Pas publikimit të lajmit dhe reagimeve të shumta në opinionin publik, Ministri i Brendshëm Bostjan Poklukar dhe Ministrja e Drejtësisë Andreja Katic kanë dhënë dorëheqjen. Dorëheqjet janë pranuar nga kryeministri Robert Golob.
Ndërkohë, mijëra qytetarë në të gjithë vendin janë bashkuar në protesta paqësore në shenjë solidariteti me viktimën dhe për të kërkuar më shumë siguri publike.


