Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi Greqinë pak ditë më parë, ku brenda një automjeti të djegur u gjet trupi i një personi. Mediat greke raportojnë se viktima dyshohet të jetë një shtetas shqiptar.
Ekspertët mjeko-ligjor kanë gjetur një objekt metalik brenda trupit të të ndjerit, që mund të jetë plumb ose copë plumbi, dhe është dërguar për analizë laboratorike. Nëse konfirmohet, kjo do të thotë se viktima është qëlluar dhe më pas djegur, për të fshehur gjurmët dhe identitetin e tij.
Policia ka marrë mostra ADN-je nga një i afërm i ndërtuesit shqiptar, që dyshohet të jetë viktima. Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Sulo Astrit Halili nga Becishti i Tepelenës, i cili rezulton i zhdukur që prej pasdites së 4 nëntorit. Ai ishte larguar nga banesa e tij në Halkida dhe nuk kishte dhënë më asnjë shenjë jete, ndërsa mjeti i tij është gjetur i braktisur në Vilia të Athinës.
Sulo Astrit HaliliTrupi është gjetur i prangosur në sediljen e pasme të një makine të vjedhur në Glifadha, me targa të falsifikuara që i përkisnin një automjeti të ngjashëm në Katerini. Sipas ekspertëve, makina është djegur dy deri në tre ditë më parë, dhe u zbulua nga një gjuetar që njoftoi policinë.
Halili përshkruhet si shtatshkurtër, me flokë dhe sy kafe, mjekër dhe një tatuazh me dy trëndafila, një yll dhe disa shkronja në krahun e majtë. Ditën që u zhduk, ai mbante veshur këmishë të zezë, xhinse Cargo të zeza dhe atlete të bardha.
Autoritetet greke nuk përjashtojnë mundësinë që 27-vjeçari të ketë qenë i përfshirë në aktivitete kriminale, ose të ketë rënë viktimë e hakmarrjes. Rezultatet e analizës së ADN-së pritet të konfirmojnë identitetin e viktimës në ditët në vijim.