Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vjosë të Fierit, ku shtetasi Altin Meçaj dhe babai i tij janë dhunuar brutalisht në oborrin e banesës së tyre.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, ku sipas deklaratave të Meçajt efektivi i Policisë, Fredi Lamaj e ka kërcënuar dhe më pas dhunuar barbarisht atë dhe babain e tij, Ylli Meçaj.
Shkak sipas 46-vjeçarit, i cili prej vitesh jeton jashtë shtetit, është bërë një “like” dhe një koment i bërë në profilim e motrës së efektivit të policisë së Fierit. Altin Meçaj ndodhet aktualisht i shtruar në urgjencën e Fierit së bashku me të atin e tij, i cili ka të çara në kokë nga goditjet e dhunshme.
“Mbrëmë në orën 11 të natës kam qenë te një lokal dhe kam arritur ë shtëpi. Kur isha te lokali më erdhi një mesazh kërcënues nga një like në facebook. Ai është një bashkëfshatar i imi që sot është komandant grupi diçka e tillë me forcat RENEA. Like i bëra motrës së tij në facebook.
Kur shkova në shtëpi janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe jam thirrur në emër për të dalë jashtë. Ai më ka thirrur nga porta e shtëpisë. Mesazhi thonte ‘nuk e di me kë je mpleksur’. Sa dal në derë më qëllojnë direkt dhe më përsërit mesazhin. Ishin të paktën 3 persona. Vetëm atë kam njohur nga zëri. Më kanë rrëzuar për tokë pa ndjenja. Në qoftë për një liken ë facebook apo një koment ka dhe falje, por që të arrijë në këtë fazë që të më bëjnë mua për spital ose babain tim. Si ka mundësi një person i tillë që është komandant grupi e vjen me shokët. Mund të ishim ulur ta kishim sqaruar. Mund të kishim pirë një kafe ta kishim sqaruar. Njihemi kemi pasur marrëdhënie të mira. Nuk ka asnjë tjetër. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin.
Më ka thënë të njëjtat gjëra si në mesazh ‘nuk e di me kë je mpleksur’ dhe diçka tjetër që nuk mund ta them. Unë kërkoj që kjo mos të përsëritet dhe dua të drejtën time. Më është shkelur prona. Këtë person e kam dalluar vetëm nga zëri kur kam dalë jashtë. Unë i thashë që motra jote është e madhe nuk është e vogël, mund të më thotë ‘Altin boll se po më bezdis’. Komenti ka qenë ‘je bërë shumë e bukur’, një kompliment”, deklaroi Meçaj.