Screenshot
Mbrëmjen e sotme, këngëtarja Juela Nikolli ka prekur thellë publikun me një rrëfim të dhimbshëm të jetës së saj duke ndarë një histori personale në Big Brother VIP Albania 5, që mbart ende plagë të hapura.
E lindur në Laç dhe e rritur prej vitesh jashtë Shqipërisë, në Milano, Juela tregoi se disa vite më parë ka përjetuar një nga humbjet më të rënda të jetës së saj: vrasjen e të fejuarit, vetëm pak kohë para se të martoheshin.
Ajo rrëfeu se kishte gjetur “shpirtin binjak” dhe se lidhja e tyre kishte zgjatur tre vite e gjysmë. Në vitin 2020, i fejuari i saj, Ledi, ndodhej në Shqipëri për të ndihmuar motrën e tij, e cila sapo ishte ndarë nga bashkëshorti dhe po përpiqej të niste një jetë të re në Itali, së bashku me fëmijët.
Një natë, pasi motra e tij mbaroi turnin në supermarket, Ledi e priti jashtë për ta shoqëruar në shtëpi. Pak para tragjedisë, ai i kishte dërguar Juelës një mesazh të zakonshëm, pa e ditur se do të ishte i fundit, i kishte shkruar se sapo kishte marrë Esmeraldën dhe po ktheheshin në shtëpi.
Pak më vonë, telefonatat pa përgjigje dhe një mesazh shqetësues nga e fejuara e një shoku ndezën alarmin. Kur Juela kontaktoi familjen, aty zbuloi se ish-bashkëshorti i motrës së Ledit i kishte qëlluar për vdekje të dy, në oborrin e shtëpisë.
“Kam humbur njeriun më të shtrenjtë që kisha në atë moment të jetës sime”, u shpreh këngëtarja mes emocionesh. Ajo tregoi se dhimbja ishte e papërshkrueshme, por se koha dhe përballja me realitetin e kanë bërë më të fortë dhe më të vetëdijshme.
Për Juelën, Ledi mbetet një figurë e shenjtë në jetën e saj. “Për mua ai është një engjëll mbrojtës. Uroj të jetë krenar për mua. Tre vitet me të nuk do t’i harroj kurrë. Jeta nuk mbaron, ajo vazhdon”, tha ajo, duke dhënë një mesazh force dhe shprese mes dhimbjes.