Screenshot
Kjo është 25-vjeçarja Xhuana Nikolli nga Lezha, e cila një ditë më parë ndërroi jetë në QSUT, si pasojë e vetëhelmimit me fostoksinë.
Pas ngjarjes, familjarët e saj kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 2 në Tiranë ndaj bashkëshortit të saj, shtetasit E.F duke pretenduar se ai ushtronte dhunë ndaj të resë.
Në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar edhe shenja dhune, shkruan tch.
Në lidhje me këtë rast, Policia e Tiranës e ka shpallur bashkëshortin në kërkim për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes”.
Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e tij në Lezhë, por ai nuk është gjetur. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për lokalizimin e tij, pasi pritet të merret në pyetje lidhur me pretendimet e ngritura nga familjarët e të ndjerës.
Xhuana Nikolli jetonte në Shëngjin dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi.
Po ashtu, nuk kanë munguar reagimet në rrjetet sociale për vdekjen e parakohshme të 25-vjeçares, ku miq të saj kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për ndarjen e saj nga jeta.

Kjo ngjarje krijoi konfuzion edhe në rrjetet sociale pasi fillimisht u përhap lajmi se viktima ishte Xhovana Nikolli, një personazh mjaft i njohur në rrjetet sociale.
Mirëpo, kjo rezultoi e pavërtetë dhe ishte vetë Xhovana ajo e cila përmes një postimi në rrjetet sociale përgënjeshtroi këto lajme.