Gjykata e të Miturve në Bolonja ka dhënë vendimin për ngjarjen tragjike që tronditi Italinë dhe komunitetin shqiptar. Adoleshenti 16-vjeçar, autor i vrasjes së 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila, është dënuar me 17 vite burg.



Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor 2024 në qytetin Piacenza, ku e mitura humbi jetën pasi u hodh nga ballkoni i banesës së saj. Hetimet zbuluan se pas këtij akti qëndronte 16-vjeçari, i cili u arrestua pak ditë më vonë, duke pranuar pjesërisht ngjarjen para hetuesve.
Pas shpalljes së vendimit, motra e viktimës, Viktoria Tila, ka reaguar me dhimbje dhe zemërim në rrjetet sociale, duke e quajtur dënimin të padrejtë dhe tepër të lehtë.
“Vetëm 17 vite… një jetë e tërë u shkatërrua. Ky njeri do të dalë nga burgu 30 vjeç dhe do të ketë mundësi të nisë një jetë të re. Motrën time nuk ma kthen askush. Në djall ai dhe lloji i tij,” – shkroi Viktoria me zemërim në profilin e saj.
