
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në zonën e Saltusio-s, në Itali, ku një turist për pak sa nuk humbi jetën për shkak të një gabimi të GPS-it.
Sipas mediave italiane, turisti po udhëtonte me një Porsche luksoze, kur sistemi i navigimit i sugjeroi një rrugë “më të shkurtër”. Ai ndoqi udhëzimet verbërisht, pa e ditur se ç’e priste, dhe përfundoi në një rrugë të ngushtë rurale, e cila më pas u kthye në një shteg me dhe.
Pasi kishte përshkuar rreth 300 metra, kuptoi se rruga nuk kishte dalje. Gjatë tentativës për të bërë një kthesë U, makina rrëshqiti dhe u ndal vetëm pak centimetra larg buzës së një shkëmbi.
Për fat të mirë, shoferi shpëtoi pa lëndime. Ai braktisi automjetin dhe u nis në këmbë për të kërkuar ndihmë. Në rrugë takoi pronarin e një ferme, i cili kishte parë makinën e mbetur mbi humnerë dhe njoftoi menjëherë zjarrfikësit.
Autoritetet lokale kanë rikujtuar se përdorimi i GPS-it duhet bërë me kujdes, veçanërisht në zonat malore ku rrugët janë të ngushta dhe të rrezikshme.


