
Mbledhja e së hënës e Këshillit Bashkiak të Vlorës u shoqërua me një moment tensioni, kur dy të rinj hynë me forcë në sallë për të protestuar vonesat prej pesë vitesh në procesin e shpronësimit të banesave të tyre.
Njëri prej tyre, David Danaj, shpjegoi më pas arsyen e veprimit:
“Më kishin prishur dy shtëpi një muaj më parë dhe ende nuk kam marrë asnjë dëmshpërblim. Më zvarrisnin prej një muaji dhe më kishte plasur shpirti. Këta kanë përdhosur pronën dhe familjen time. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre kundër këtij sistemi,” – tha i riu.
David shtoi se pas incidentit u shoqërua nga policia, por pa probleme, dhe nuk kishte ofenduar apo kërcënuar askënd. I pyetur për guximin e tij, ai tha se ishte frymëzuar nga protestat në Paris:
“Atje ndjeva një lirim shpirtëror. Këtu shteti është në gjumë, sistemi është radikal, të gjithë kanë frikë. Prisja që dikush të më sqaronte, por kryetari më solli policinë,” – u shpreh ai.