Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, ku një 28-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident rrugor.
Viktima është Beqir Zela, i cili sipas burimeve zyrtare, ka ndërruar jetë në aksin Baldushk–Vishnje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:50, kur i riu dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që po drejtonte.
Si pasojë, motori është përplasur me barrierat anësore të rrugës, duke shkaktuar një përplasje fatale. Për shkak të goditjes së fortë, 28-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, pa mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, lajmi i hidhur ka prekur thellë familjarët, miqtë dhe të njohurit e të ndjerit. Në rrjetet sociale kanë vërshuar mesazhe prekëse, ku miqtë e kujtojnë si një djalë të mirë dhe plot jetë, ndërsa shprehin dhimbjen për humbjen e parakohshme.
“Qofsh i xhenetit… nuk e meritove këtë fund”, shkruan një prej miqve të tij, mes shumë reagimesh që pasqyrojnë trishtimin për ndarjen e tij nga jeta.

Një tjetër jetë e re u ndërpre në mënyrë tragjike në rrugët e vendit, duke rikthyer edhe njëherë vëmendjen tek siguria rrugore dhe rreziku që mbart çdo pakujdesi në drejtim.