Një ngjarje tronditëse ka shokuar Uellsin e Veriut dhe mbarë botën, pasi një çift gjyshërish u shpall fajtor për vrasjen e nipit të tyre 2-vjeçar, Ethan Ives-Griffiths, pasi e lanë pa ngrënë për një kohë të gjatë dhe e keqtrajtuan.
Sipas The Sun Michael dhe Kerry Ives, nga Deeside, u dënuan me burgim të përjetshëm pas provave rrëqethëse që treguan dhunën dhe neglizhencën e ushtruar ndaj fëmijës. Michael duhet të vuajë të paktën 23 vite burg, ndërsa Kerry të paktën 17. Nëna e vogëlushit, Shannon Ives, e cila nuk bëri asgjë për ta mbrojtur djalin e saj, u dënua me 12 vite burg.

Hetimi zbuloi se vogëlushi ishte i kequshqyer dhe kishte mbi 40 plagë e mavijosje në trup. Pesha e tij ishte alarmante, aq sa mjekët e përshkruan si “të ngjashëm me një të moshuar”, me brinjë të dukshme dhe sy të fundosur. Një paramedik që shkoi në shtëpinë e çiftit deklaroi se Ethan dukej sikur ishte 90 vjeç.
Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në shtëpi treguan Michael duke e tërhequr me forcë vogëlushin, duke e shtyrë në makinë dhe madje duke e goditur, ndërsa gjyshja shikonte. Ai shpesh detyrohej të qëndronte me duart mbi kokë si formë ndëshkimi dhe lihej pa ushqim e ujë, ndryshe nga vëllezërit e tij. Në disa raste, Michael i merrte ushqimin nga goja para se ai të arrinte ta gëlltiste, ndërsa nëna Shannon qëndronte në heshtje.
Prokuroria e përshkroi rastin si një nga më tronditësit e parë ndonjëherë në gjykatë, duke theksuar se fëmija u trajtua me mizori të padëgjuara nga njerëzit që duhej ta mbronin.
Autoritetet lokale kanë nisur një hetim të pavarur për të kuptuar pse sistemi i mbrojtjes së fëmijëve nuk arriti ta shpëtonte vogëlushin.