
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Francë, pasi 12 vjeçarja Lola Daviet u përdhunua dhe u vra mizorisht nga 27-vjeçarja Dahbia Benkired. Për këtë akt makabër, gjykata dha dënimin maksimal: burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi për autoren.
Nëna e saj, Delphine Daviet, shpërtheu në lot pas shpalljes së vendimit, duke thënë:
“Ne besuam në drejtësi dhe e morëm atë.”

Edhe vëllai i Lolas, i prekur thellë nga tragjedia, falënderoi sistemin gjyqësor:
“Moruam atë që donim.”
Avokati i familjes e përshkroi dënimin si të drejtë dhe në përpjesëtim me “pamjen e tmerrshme të krimit të kryer”. Ky vendim e bën Benkired gruan e parë në historinë e Francës që dënohet me një dënim të përjetshëm të pakthyeshëm, një ndëshkim që deri më tani u ishte dhënë vetëm disa burrave, përfshirë terroristin Salah Abdeslam, autor i masakrës së Parisit në vitin 2015.


Krimi që tronditi Francën
Trupi i vogëlushes Lola u gjet në tetor të vitit 2022, në ndërtesën ku ajo jetonte me prindërit dhe vëllain e saj në Paris. Hetimet zbuluan një akt barbar: vajza kishte pësuar rreth 40 plagë, ishte përdhunuar dhe therur me gërshërë e thikë, ndërsa fytyra i ishte mbuluar me shirit ngjitës, gjë që i shkaktoi mbytjen.
Gjatë procesit gjyqësor, Benkired pranoi krimin dhe kërkoi falje, por mbeti e ftohtë dhe pa emocione gjatë shpalljes së vendimit.
“Kërkoj falje. Ajo që bëra ishte e tmerrshme. Kaq kam për të thënë,” u shpreh ajo para trupit gjykues.
Prokurori i rastit e përshkroi Benkired si “jashtëzakonisht të rrezikshme”, duke kërkuar dënimin maksimal “për të mbrojtur shoqërinë nga një grua me rrezikshmëri ekstreme”.

Pasojat tragjike për familjen
Nëna e Lolas, Delphine, rrëfeu mes lotësh:
“E putha dhe i thashë ‘Shihemi më vonë’. Nuk mund ta dija se do të takonte një përbindësh.”
Tragjedia shkatërroi familjen: bashkëshorti i Delphine, Johan Daviet, ndërroi jetë vitin e kaluar nga alkoolizmi i shkaktuar nga dhimbja, ndërsa vetë ajo humbi punën dhe banesën.
“Kam humbur gjithçka – vajzën, burrin, shtëpinë. Vetëm djali im më mban gjallë,” tha ajo.
Një çështje me ngarkesë politike
Rasti ndezi debat të madh në Francë, pasi Benkired kishte qëndruar në vend me vizë të skaduar, duke ngritur pyetje mbi politikat e emigracionit. Demonstrues të shumtë kërkuan rikthimin e dënimit me vdekje.
Deputeti konservator Éric Pauget deklaroi në parlament se Lola “u vra si pasojë e dobësive të politikave franceze të emigracionit”.
Pas tre vitesh paraburgim në burgun e sigurisë së lartë në Fresnes, Benkired është dërguar menjëherë për të vuajtur dënimin e përjetshëm, pa të drejtë apelimi apo lirim me kusht. Burimi: The Sun


