Një mosmarrëveshje ka përfunduar në plagosjen e një personi mbrëmjen e sotme në zonën e njohur si “Rruga B” në Prishtinë.
Sipas burimeve, i plagosuri është inspektori i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arsim Beqiri, ndërsa i dyshuari për ngjarjen është identifikuar si Agon Dulla.

Nga të dhënat paraprake mësohet se inspektori kishte qenë duke konsumuar kafe me një shok në një lokal, kur i dyshuari është afruar pranë tavolinës dhe e ka ftuar të dalë jashtë për të biseduar. Sapo kanë dalë jashtë lokalit, i dyshuari dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke e plagosur Beqirin në këmbë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se rreth orës 21:00 ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë të kryeqytetit. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku është konstatuar se një person kishte mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Aktualisht policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ndërkohë, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) bëhet e ditur se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar se ai është në gjendje stabile dhe pas ekzaminimeve do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejshëm.
Hetimet lidhur me këtë ngjarje janë në vijim.