Qeveria rikthen idenë për krijimin e një rezerve shtetërore të naftës për 90 ditë konsum, me një kosto që mund të arrijë deri në 520 milionë euro. Për mbulimin e shpenzimeve, parashikohet një tarifë e re mbi karburantet që do rëndojë xhepat e qytetarëve.
Qeveria po përgatit një tjetër barrë fiskale për qytetarët. Me projektligjin e ri “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj”, pritet të vendoset një taksa e re mbi karburantet, e cila do të përdoret për ngritjen e një rezerve shtetërore të naftës në rast krizash apo mungesash furnizimi.
Sipas dokumentit të hedhur për konsultim publik, rezerva e planifikuar do të mbulojë 90 ditë konsum dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit nga 300 deri në 520 milionë euro, në varësi të mënyrës së ndërtimit apo marrjes me qira të depozitave.
Ekspertët e tregut vlerësojnë se vetëm produkti do të kushtojë rreth 260 milionë euro, ndërsa shpenzimet për ruajtjen, qiranë e depozitave, mirëmbajtjen dhe pagat e punonjësve do ta çojnë faturën shumë më lart.
Në rast se qeveria do të ndërtojë vetë depozitat e ruajtjes, kostoja shtesë do të arrijë në 520 milionë euro, pa llogaritur shpenzime të tjera operative. Për të përballuar këtë faturë të rëndë, projektligji parashikon që një pjesë e fondeve të sigurohen nga tarifat që do t’u ngarkohen qytetarëve për çdo litër karburanti të blerë.
Në praktikë, kjo do të thotë se, përveç taksave ekzistuese si akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe tarifa e skanimit, qytetarët do të paguajnë edhe një tarifë të re për rezervën e sigurisë, shuma e së cilës do të përcaktohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nëse miratohet, kjo nismë pritet të sjellë një rritje të mëtejshme të çmimit të naftës në treg, duke goditur drejtpërdrejt buxhetin e familjeve dhe koston e transportit në vend.