Mbesa e ish-diktatorit, Enver Hoxha
Mbesa e ish-diktatorit Enver Hoxha zgjedh heshtjen dhe injorimin, duke mos iu përgjigjur sulmeve mbi të kaluarën e familjes
Valbona Hoxha, mbesa e ish-diktatorit Enver Hoxha, është bërë së fundmi një nga figurat më të përfolura në rrjetet sociale. Ajo ushtron profesionin si mjeke psikoterapiste dhe në profilin e saj në Instagram shpërndan mesazhe mbi shëndetin mendor, vetëbesimin dhe menaxhimin e stresit. Por pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar një imazh profesional dhe të pavarur nga e kaluara e familjes, Valbona shpesh përballet me një “barrë” që s’e ka zgjedhur vetë, trashëgiminë e mbiemrit Hoxha.
Prej kohësh, në çdo postim të saj, shfaqen komente që nuk kanë lidhje me punën apo temat që trajton, por me figurën e gjyshit të saj, Enver Hoxha. Shumë përdorues nuk ngurojnë ta kujtojnë të kaluarën e dhunshme të regjimit komunist dhe t’i drejtohen me tone të ashpra. “Gjyshi yt ka torturuar mijëra shqiptarë” apo “Nuk mund ta lash dot gjakun që ke në damarë”, janë vetëm disa nga komentet që shfaqen nën postimet e saj.
Megjithatë, ajo ka zgjedhur një mënyrë të qetë për t’u përballur me këtë valë komentesh: heshtjen. Valbona Hoxha nuk u përgjigjet asnjëherë atyre që e sulmojnë për shkak të mbiemrit të saj. Ndryshe nga rastet kur ndjekës të tjerë e pyesin për tema të shëndetit mendor apo psikologjie, ku ajo është shumë aktive dhe e komunikueshme, ndaj komenteve politike apo historike, ajo ruan një qëndrim plotësisht indiferent.
Burime pranë saj kanë treguar se Valbona preferon të mos e ushqejë polemikën, duke besuar se “heshtja është forma më e mençur e reagimit”.
Në çdo rast, Valbona Hoxha vazhdon të jetë aktive në rrjete sociale, duke e përdorur platformën e saj për të folur mbi shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale, ndërkohë që përballë kritikëve të së kaluarës, zgjedh të përgjigjet me heshtje.