
Një gjest i jashtëzakonshëm solidariteti ka prekur rrjetet sociale. Armend Hyseni, një qytetar i Kosovës, ka vendosur të dhurojë veturën e tij Nissan Primera 1.9 TDI, viti 2003, për një familje që ka fëmijë të sëmurë dhe nuk i ka kushtet për transport.
“Nëse dini një familje që ka fëmijë të sëmurë dhe nuk i ka kushtet, dua me ja fal veturën. Para se me e dorëzu, e vizitoj familjen,” – ka shkruar ai në postim, duke lënë edhe numrin e tij të kontaktit përmes Viber: +38344176893.

Në një postim tjetër Hyseni ka bërë të ditur se familja përfituese është caktuar dhe falënderon të gjithë ata që kontribuuan në këtë nismë humane.
“Deshta me ju informu që u caktu familja që ka me marrë veturën. E faleminderoj z. Dardan Veseli, koordinatorin e Islamic Relief Kosova – dega Gjilan, për ndihmën në përzgjedhjen e familjes. Ju faleminderit të gjithëve,” – shkruan Hyseni.
Ai bëri të ditur se vetura i është dhënë një familjeje e cila është përballur me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të sëmundjes së fëmijës.
Në të njëjtin postim, Hyseni reagoi ndaj disa komenteve që e akuzonin për “kërkim fame”, duke theksuar se qëllimi i tij ka qenë vetëm ndihma për familjen në nevojë:
“Nuk jam person që kërkon famën. E kam postu në Facebook tim për me gjetë një familje, po nuk ma ka marrë mendja se merr kaq jehonë të madhe. Fama që pretendohet disa le të përfundojë këtu.”
Ai shtoi gjithashtu se ka marrë shumë thirrje dhe mesazhe, për të cilat kërkon mirëkuptim që nuk mund t’u përgjigjet të gjithëve, dhe se shpreson ta ketë mundësinë të dhurojë një veturë tjetër në të ardhmen.
“Ju që keni shpreh dëshirë me i ndihmu familjes që merr veturën, më shkruani. Ju faleminderit të gjithëve,” – përfundon ai.
Ky veprim i thjeshtë, por me shumë domethënie, ka bërë që qindra njerëz në rrjete sociale ta përgëzojnë për humanizmin dhe shembullin e mirë që ka dhënë për shoqërinë.


