Screenshot
Nisja e Big Brother VIP Albania 5 mbrëmjen e sotme nuk kaloi pa polemika. Gjatë prezantimit të të ftuarve dhe emrave që lidhen me edicionin e ri, moderatori Ledion Liço bëri një gafë që u vu menjëherë re nga publiku dhe u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale. Teksa iu drejtua tre personazheve duke i quajtur “yje”, Ledioni u ndal te Kristi Lamaj, duke u shprehur se ai ishte “më yll se i shkëlqen fustani”. Problemi? Kristi Lamaj është mashkull, u shfaq i veshur me kostum dhe është i njohur si këngëtar, jo si personazh që shfaqet me fustan.
Momenti u perceptua si një lapsus live, por mjaftoi për të ndezur reagime dhe humor në rrjet, ku shumë ndjekës e cilësuan si një gafë klasike televizive, ndërsa të tjerë e kthyen në meme. Kristi Lamaj, i cili njihet nga publiku për këngën “Dridhe moj bajame dridhe”, ka qenë një nga emrat më të komentuar së fundmi në showbiz, dhe përfshirja e tij në hapjen e Big Brother VIP vetëm sa e rriti vëmendjen.
Sezoni i pestë i Big Brother VIP Albania pritet të jetë një nga më të ndjekurit, me personazhe të njohur, debate të forta dhe momente që bëhen virale që në natën e parë. Gafa e Ledionit me Kristi Lamajn duket se ishte vetëm sinjali i parë se ky edicion do të flitet gjatë jo vetëm për lojën brenda shtëpisë, por edhe për atë që ndodh në studio.