Gazetari i njohur për shkrimet e tij në botën e showbiz-it, Olti Curri, ka përdorur profilin e tij për të denoncuar një rast që sipas tij ngre dyshime serioze mbi përdorimin e fondeve publike. Postimi i tij, i titulluar “Fundjavë ndryshe… në SPAK!”, përqendrohet te veprimet e Arber Hajdarit dhe grupit që ai drejton, i cili promovon aktivitete humanitare në televizion.
Sipas Currit, ky grup po përfiton nga pasuria publike duke shfaqur histori dramatike dhe emocionuese, të cilat përdoren për të tërhequr donacione. “Jo vetëm drejtësia duhet të veprojë për këtë rast skandaloz, por edhe opinioni publik duhet të ndërgjegjësohet se kemi të bëjmë me një veprim kriminal të maskuar me zhurmë bamirësie dhe histori Big Brother-i,” shkruan gazetari.

Ai ngre pyetjen se sa vite dënim meriton një grup që përfiton nga pasuria publike dhe sa mallkime meritojnë ata që shesin lotët e fukarenjve dhe fëmijëve të semurë në televizion, ndërkohë që qytetarët japin nga të ardhurat e tyre për bamirësi. Postimi i tij ka nxitur reagime të shumta, me inbox-in e Currit që po mbushet nga denoncime të qytetarëve, duke kërkuar ndërhyrjen e SPAK.




